Connect with us

Pak Histori

Elbasan,“Pusi që lahet vetë”, historiku dhe misteri që mbart

Published

on

Duke shëtitur nëpër histori, pak vite më parë se të fillonte të ndërtohej e të merrte jetë qyteti i Elbasanit, vënia dorë e pushtuesit turk do të sillte formësimin e një qytetërimi të mirfilltë, dhe lindjen e atij që sot është në listën e monumenteve të kulturës dhe që mbart një histori specifike e plot mister, “Pusi që lahet vetë”.
Pikërisht në vitin 1460, dy vëllezër turq bashkë me një kryepunëtor arab, ndërtuan një xhami në qytetin e Elbasanit. Ata panë si të nevojshëm sigurimin e ujit që do ti shërbente xhamisë, dhe shume pranë saj ata vendosën hapjen e një pusi, shkruan Elbasani Plus.

Vite më vonë, më 1466, kur Sulltan Mehmeti II dështoi në rrethimin e dytë të Krujës, vendosi që në rrënojat e kështjellës së vjeter të Valmit, të ngrejë kalanë e sotme të qytetit. Në hyrje të saj, mbi një pllakë, sulltani shkroi në turqisht: “Eli-Basan, es Sulltan, Ibni Sulltan, Fahti Sultan, Mehmet Han-i Han.” (Vura dorë, unë sulltan bir sulltani, sulltan triumfues, Mehmet, mbret i mbretërish) dhe kështu qyteti mori emrin Elbasan. Si të thuash, xhamia që u ndërtua më 1460 ishte dhe objekti pa të cilin nuk do të kishte lindur “Pusi që lahet vetë”. Në oborrin e xhamisë aty pranë pusit, u mboll dhe një rrap që shërbente për të lidhur kafshët, dhe u mbiquajt “Rrapi i Xhamisë”. Xhamia e ndërtuar nga vëllezërit turq, Dylgjeri e Hasani, frekuentohej nga të gjithë besimtarët e zonës. Uji i pusit tepër i domosdoshëm, veç të tjerash, shërbente për t’u larë besimtarët në faljen e namazit.

Pusi u ndërtua me mjeshtërinë e kryepunëtorit arab e vullnetin e vëllezërve turq, të cilët përdorën gurët afër përroit të Zaranikës. Në përfundim të punimeve, për t’u ecur mbarë ata hodhën në pus tri vegla, thuhet se prej ari, një çekiç, një sqepar dhe një mistri.

Në ditët e sotme, jo shumë larg prej qendrës së qytetit, ndodhet lagjja “Pusi që lahet vetë”. Duke shkuar për atje, tabelat e vendosura në lartësi të mureve të rrugicave me mbishkrimin “Pusi që lahet vetë”, të drejtojnë në vendin për të cilin është thurur legjenda. Objekti i kultit është ende atje dhe anës tij janë të ulur në karrige e stola, burrat më të vjetër të lagjes. Këta të moshuar qëndrojnë aty të rehatuar duke shijuar freskinë dhe hijen e rrapit që ndodhet pak më tutje. Pamja që ka tani duket e restauruar, ose e bërë nga fillimi.

Afrohem aty e porsa pyes për pusin, të moshuarit fillojnë të tregojnë historinë e misterin që mbart ky pus, dhe duket se këta i pëlqejnë njerëzit që merren me histori. Ibrahim Bitozi, banor i vjetër i lagjes dhe i zoti i shtëpisë ngjitur me pusin, fillon e tregon vitet që nga hapja e tij. Ky është sheshi përpara pusit ku ka qenë ngritur xhamia. Ajo u shkatërrua në kohën e komunizmit si shumë objekte të tjera fetare. Të gjithë ata burra aty pranë tregojnë se si për gjithë ata vite, ky pus qëndroi i mbyllur. U mbyll nga sistemi i asaj kohe sepse ndodhej afër xhamisë, e si preteks thuhej: “Ju kemi sjellë ujin në shtëpi, nuk na duhet më uji i pusit të turkut”. Ibrahimi, që sot i ka kaluar të tetëdhjetat, na tregon: Që prej gushtit të 2007-es, unë dhe djemtë e mi vendosëm të rihapim pusin. Vendosëm rihapjen, sepse ky pus është ndër objektet me vlerë në Institutin e Monumenteve të Kulturës, por që asnjëhere nuk u mor një vendim për rihapjen e tij nga ana e autoriteteve.

Familjarisht, vendosëm rihapjen sepse është një objekt me histori të veçantë, por përpos edhe detyrës që ndjej si një banor i vjetër i Elbasanit, mbaja dhe amanetin e zonjës time (Donikës), që para se të vdiste gjithmonë shprehte dëshirën e saj, që dikur pusi të rihapej përsëri. Ibrahimi tregon se bashkë me djemtë e tij, ai u sigurua dhe mori ustallarët e njohur te zonës së Godoleshit. Punimet nisen në fillim të muajit gusht të 2007-ës, ku u deshën vetëm disa ditë gërmime që uji të dilte përsëri.
Sa e sa inerte dhe mbeturina ishin hedhur në atë pus, por që as ato e as sistemi i asaj kohe nuk mundën të ndalonin që historia të tregohej, dhe uji të dilte përseri në fund të pesëmbëdhjetë metrave thellësi. Në gërmime e sipër, përveçse masivit të dheut e të papastërtive që e kishin mbuluar për vite me rradhë, në atë pus u gjetën dhe sende të ndryshme, si tepsi prej bakri, monedha të vjetra, e objekte të ndryshme të kohëve me parë. Veglat, që ustallaret thuhej se kishin hedhur ose fshehur, që në hapjen e pusit, nuk u gjendën kurrë.

Pusi tani është fare ngjitur me murin jashtë shtëpisë së Ibrahimit, dhe vizitohet lirisht nga gjithkush, edhe pse tashmë ai qëndron i mbyllur me kapak. Ibrahimi e banorët vendosën për ta ruajtur nga çdokush i papërgjegjshëm që mund të hedhë diçka brenda pusit, por edhe sepse rrezikohen fëmijet nëse ai do të qëndronte gjithnjë hapur.
I ndërtuar mjeshtërisht me gurë të gdhendur e të vendosur në formë ovale njëri mbi tjetrin, pusi duket se do të jetë aty në përjetësi. Ai tashmë është përfshirë dhe ruhet bashkë me rrapin aty pranë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
Besnik Narazani, një tjetër i moshuar tregon rreth legjendës dhe misterit që ka “Pusi që lahet vetë”. Është quajtur kështu sepse herë pas here uji shtohej aq shumë sa dhe dilte mbi sipërfaqe e lante zonën përreth, duke vërshuar me pas në rrugët e lagjes. Këtë dukuri të çuditshme, banorët e shpjegojnë në forma të ndryshme. Ata pohojnë se ndodhte çdo hënë të re, gati çdo dy javë, të tjerë e lidhin me shtimin e sasisë së prurjeve të burimit nëntokësor, e disa thjesht besonin në mrekullinë e Zotit.

Kjo ndodhte gjithmonë natën, askush nuk dinte se kur dukuria do të përsëritej. Uji i pusit i shërbente të gjithë mëhallës dhe ishte aq i përdorshëm për të gjithë, sa që shihej si burim jetik për komunitetin e asaj zone.
Tre metra më tej nga pusi ndodhet rrapi, dhe ngjitur me të një objekt i vogël ku brenda tij dallohen qirinjtë e ndezur të lënë aty nga njerëzit, bashkë me lutjet e tyre. Ky vend sot quhet “vendi i mirë”, dhe është ndërtuar për të kujtuar xhaminë e vjetër, rrënojat e të cilës ndodhen poshtë shtresës së hollë të sheshit të asfaltuar. Rrapi aty pranë, jo më ai i moçmi, por që Besniku tregon se vëllai tij Kujtimi, në kohën që rrapi i vjetër u tha, mbolli aty asokohe vetëm një filiz të trashë sa krahu e të gjate pak më shumë se një metër. Ai e rimbolli për të mos lënë të paplotësuar “pusin që lahet vetë”, që historia ta tregojë atë gjithmonë me rrapin. Tani këtu është një rrap dhjetra vjeçar, që bën hije të gjërë dhe degët e tij arrijnë deri mbi oborret e këtyre shtëpive anës tij.

Banorët tregojnë se kjo lagje u emërtua si lagjja “Hasan Dylgjer”, në emër të vëllezërve turq që ndërtuan xhaminë dhe që hapën pusin. Por ajo asnjëherë nuk u njoh e as u thirr në atë emër, por në atë çka njerëzit shihnin çdo mëngjes. Ujin që dergjej rreth e qark pusit, duke larë e pastruar vendin nga papastërtitë e rrugës dhe kështu u thirr gjithmonë …”Pusi që lahet vetë”.Banorët ende i kujtojnë e i këndojnë fjalët e melodinë që thuri me mjeshtërinë e violinës mbreti i këngës Elbasanase, Usta Isuf Myzyri. E jo vetem, por edhe këngëtarët e njohur Elbasanas, vëllezërit Zena kanë ngritur këngë për të. “Është një pus në Elbasan… “, keshtu nisin dhe vargjet e poezise qe i ka thurur shkrimtari Elbasanas Përparim Hysi.
Është një pus në Elbasan, është një “Pus që lahet vetë!”
Për të këngë kanë thurur këngëtarët, me të vërtetë.
Kështu bëri Mbreti i këngës aliaz Isuf Myzyri Se ç’mistere fsheh ky pus?
Lahet vet, ke parë “qafiri?!”
Mu aty tek ky pus, këngëtari priste vashën
I këndoi me violinë;
kënga ikte zinte Pjacën
E këndohej gojë më gojë, në të gjithë Shqipërinë
Mu tek pusi,
Mbreti i këngës, luante-qante me violinë.
Të moshuarit vazhdojnë e tregojnë ndodhi që lidhen me pusin, por dikush na thërret! Ishte Agimi, vëllai tjetër i familjes Narazani, që prej portës së tij na flet të shtyhemi pak më tutje. Lëvizim më tej, ai fillon e hedh ujë për të shuar të nxehtin në asfaltin e sheshit të kësaj pasdite vere. Bashkë me ujin edhe era aq e lehtë, që me zor lëviz gjethet e rrapit duket sikur e freskojnë vendin përqark. U duk sikur historia po përsëritej, por jo më si pasojë e dukurisë që uji dilte e lante mëhallën, por nga dora e banorëve që kërkojnë të shuajnë vapën e një qyteti me verë kaq të nxehtë sa Elbasani.

Pak Histori

Këpucari i fundit në Elbasan. Pasion kishte futbollin, por prej 50 vitesh…

Published

on

Dikur kishte pasion futbollin, por mundësitë për të ndjekur endrrën ishin të pakta. I detyruar edhe nga sistemi i kohës edhe nga pamundësia ekonomike, Muhamet Kacollja zgjodhi profesionin e këpucarit. Prej 50 vitesh ai ushtron këtë profesion në punishten e tij të vogël në qytetin e Elbasanit.

“Po bëj 5 vite që e kam filluar kjëtë zanat që nga viti 1972 dhe gjatë gjithë kësaj kohë kam punuar në riparim, pas asaj mbarova shkollën e mesme dhe kam filluar në kurs porosie, nga aty ika në kurs specializimi 9-mujor. Pastaj ika te kafe Flora në kurs për modelist dhe kam punuar te porosia deri në vitin 1991. Pas ’91 kemi dalë privat, ishim një grup këtu, tani jam vetëm”, tha për Euronews Albania, këpucari Muhamet Kacollja.

 

 

Zanati që ai zgjodhi, në ditët e sotme nuk preferohet më. Për Muhametin është e dhimbshme kur mendon se këtë profesion nuk mund t’ja trashëgojë brezave.

 

 

“Po dua të ketë, ose kurse dhe specializime. Se përveç zanatit që mund të provojnë kështu në dyqane, do kenë edhe fabrikat nevojë që mund të hapet një fabikë këpucësh që duhet të mësojë diçka edhe ai. Është e vështirë sepse edhe të rinjtë tani nuk kanë më kërkesa me këtë lloj zanati”, tha Muhamet Kacollja.

Përpos rregullimit të këpucëve, dikur bënte edhe këpucë të reja, por me rënien e kërkesës, Muhameti e ndërpreu prodhimin.

“Kur kemi ardhur në fillim këtu bënim këpucë të reja, bënim edh epër të shitur edhe me porosi. Tani nuk ka kërkesa, çmimet që të bësh një palë me porosai janë rritur edhe kur vjen vetëm një herë në vit me porosi, nuk ka leverdi. Kur dolëm këtu ne ishin 2500, 3000 lekë një palë këpucë të mira tani janë 7000”, tha këpucari.

Muhametin e gjejmë edhe sot në karrigen e tij, të ulur pranë veglave të punës që ka pasur që prej fillimit të profesionit. Pa përtesë vazhdon të presi porosi dhe të plotësojë kërkesat e klientëve./Euronews

Continue Reading

Pak Histori

Elbasani, qyteti që mban gjallë traditën

Published

on

Nga ARTUR AJAZI

Qarku i Elbasanit, i ndarë në 7 zona etnografike, ka një gurrë të pashtershme folklorike. Elbasani, mbetet “burim i pashterrueshëm” këngësh, vallesh, sazesh, fyejsh, dhe dhjetra veglash të tjera muzikore, mbetet zona e vetme në Shqipërinë e Mesme, që ka nxjerrë Usta Isuf Myzyrin, Mustafa Bodinin, dhe dhjetra emra të tjerë që kanë mbajtur gjallë muzikën dhe vallet e vjetra shekullore qytetare dhe popullore. Numurohen mbi 2400 tekste këngësh që datojnë mbi 300 vjet më parë, të shkruara dhe kënduara, mbi 270 koreografi vallesh që janë më të vjetra se Kalaja e Elbasanit, dhe qindra emra solistësh popullorë të çdo fshati, krahine dhe qyteti që përfshihet gjeografikisht në atë qark. Elbasani mbetet qarku më i vlerësuar në çdo Festival Folklorik që mbahet tradicionalisht në Gjirokastër. Çmime të para , të dyta, medalje ari për emrat e njohur dhe kompozitorët e këngëve qytetare dhe jo vetëm, janë marrë ndër vite nga Grupi Artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Elbasanit. Edhe sot, emra të tillë si vëllezërit Zena, apo dirigjenti i apasionuar dhe ndër më të njohurit e muzikës shqiptare si Blerim Narazani dhe Sulejman Balza, Mjeshtri i Madh Sopot Serica apo Edmond Rrapi dhe Krenar Korça, grupi i mrekullueshëm i valleve popullore dhe interpretuesit e këngës popullore, po mbajnë gjallë frymën e muzikës së trevave. Asgjë nuk duhet lënë në harresë-thotë Narzani. Elbasani ka fatin e madh të ketë plot 7 zona etnografike, me një ansambël këngësh dhe vallesh të hershme që këndohen dhe luhen nga solistët dhe emrat e njohur të muzikës popullore. Në Elbasan, atje ku mbahet gjallë tradita e sazeve, fyejve, këngëve dhe valleve popullore, riteve dhe zakoneve të hershme, rritet dhe kultivohet vazhdimisht nga më të vjetrit dhe më të rinjtë, gurra e pashtershme popullore. Elbasani, mbetet ndër zonat e pasura me repertorin e bukur të këngëve të vjetra, valleve të bukura të luajtura nga burra dhe gra të fshtrave dhe qyteteve të atij qarku. Gramshi apo Librazhdi, Peqini apo Belëshi, Cerriku apo Shmili dhe Bradasheshi, kanë qenë dhe mbeten burime të pashterueshme të teksteve të këngëve popullore, dhe valleve shekullore. Mjeshtri i madh Sopot Serica, ndër emrat e njohur të muzikës popullore në Elbasan dhe jo vetëm, flet me dashuri të madhe për Grykën e Zaranikës, e cila ka brënda saj këngët dhe vallet e bukura popullore, duke mbetur “shtyllë” e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore të Elbasanit. vetë Elbasanit. Vetë banorët e atyre zonave, e kanë ruajtur të pastër këngën dhe vallen, nuk kanë prekur asgjë nga versioni origjinal, duke rritur kredibilitetin e interpretuesve të vjetër dhe të rinj. Komisioni i “Festivalit Folklorik 2023” të Gjirokastrës, po përcakton materialet e duhura muzikore dhe vallet që do të përfaqësojnë qarkun e Elbasanit atje. Rrahja e mendimeve, diskutimet, thithja e elementëve të rinj që do të interpretojnë me origjinalitet dhe finesë këngët dhe vallet e bukura popullore të trevave të Elbasanit, mbetet synimi kryesor, e pandarë kjo nga ambicja për të marrë sivjet Kupën e Festivalit, çmime të para dhe vlerësime maksimale nga juria dhe specialistët e folklorit.

Continue Reading

Pak Histori

Cili është arkitekti nga Elbasani që ideoi Xhaminë Blu para 500 vitesh ?

Published

on

Perandoria Osmane, e më pas Republika e Turqisë, ka pasur një traditë shumë të shquar në projektimin dhe ndërtimin e xhamive, mjaft prej të cilave përfaqësojnë vepra me vlerë arkitektonike origjinale.

Në vitin 2015, në territorin e Republikës së Turqisë, kishte 84684 xhami. Qyteti që ka më shumë xhami është Stambolli. Në vitin 2015 kishte 3190 xhami. Gjithashtu, Stambolli ka më shumë se çdo qytet tjetër në Turqi xhami të mëdha me vlera arkitektonike të veçanta që tërheqin më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj. Përgjatë periudhës osmane në Stamboll u rikonstruktuan dhe u përshtatën për xhami rreth 19 faltore të rëndësishme kryesisht të besimit ortodoks bizantin. Ndër to, me vlera më të spikatura arkitektonike ka qenë Kisha e Shën Sofisë, e cila në ditët tona funksionon pjesërisht si xhami dhe si muze.

Përgjatë periudhës osmane në Stamboll u ndërtuan shumë xhami, prej të cilave 40 u rekomandohen turistëve të shumtë që vizitojnë Stambollin si ndërtesa me vlera arkitekturore të veçanta origjinale.

Ndër to shquhet Xhamia Sulejmanie, e projektuar nga arkitekti i shquar Sinani (1489-1588) që ka qenë kryearkitekti më i shquar i Perandorisë Osmane. Kjo xhami ka 4 minare.

Xhamia Blu e projektuar prej arkitektit Mehmet Aga nga Elbasani, student i arkitekt Sinanit. Edhe kjo xhami ka 4 minare. Xhamia e Princit e projektuar nga arkitekt Sinani dhe xhamia e Bajazitit, Xhamia e Re e Nënës së Sulltanit, të cilat kishin secila nga 2 minare etj.

Shumica dërrmuese e xhamive të ndërtuara në Stamboll dhe në gjithë Perandorinë Osmane kishin një minare. Xhamitë me dy ose më shumë minaret, krahas vlerave fetare dhe arkitekturore përgjithësisht më të spikatura, kishin edhe një status simbolik të veçantë në hierarkinë fetare e zyrtare të Perandorisë Osmane.

Këto xhami ishin ndërtuar me financime të sulltanëve ose të familjarëve të afërt të tyre. Kësisoj, duke pasur më shumë se një minare, në hapësirat e Perandorisë Osmane, xhamitë e ndërtuara me financime të familjeve sulltanore identifikoheshin edhe nga larg.

Continue Reading

Të ndryshme